Sindromi i punësimeve të kundërligjshme dhe me preferenca shpeshherë politike, e ka shoqëruar shtetin tonë në vazhdimësi, sidomos pas pavarësimit. Ka qenë dhe mbetet sfidë e patejkalueshme për shumë të rinj për të siguruar një vend pune në rast se nuk kanë përkrahje politike apo lidhje farefisnore.
Pavarësisht presionit të jashtëm apo dëshirave të brendshme të menaxhmentit, institucionet e Kosovës janë të obliguara të respektojnë ligjshmërinë dhe të promovojnë punësime bazuar në parimin e meritokracisë. Këtë detyrim e ka edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, edhe pse gëzon status unik dhe mbrojtje ligjore të veçantë.
Në mesin e të punësuarve në mënyrë preferenciale dhe në shkelje të ligjit nga drejtori i AKI-së, Kreshnik Gashi, mësohet se është edhe bashkëshortja e këshilltarit politik të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Adil Behramajt.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda AKI-së, e njëjta është punësuar në muajin korrik të këtij viti në pozitën e asistentes administrative, veprim ky që përbën cenim flagrant të nenit 12, pika 12.2 të ligjit për AKI-në, i cili përcakton se: Shpalljet e vendeve të lira të punës në AKI i nënshtrohen konkurrencës së hapur dhe publikohen në shumë gazeta ditore që shpërndahen në Kosovë, me përshkrim të kërkesave të përgjithshme për pozitat në pajtim me ligjin në fuqi.