Dy incidentet e regjistruara këtë muaj në Mal të Zi, në të cilat janë shënjestruar myslimanët, kanë ngritur dilema për tolerancën fetare në këtë vend.
Rasti i parë është regjistruar më 4 gusht, kur një grua nga Kuvajti – e cila e ka mbajtur një shami në kokë – dhe familja e saj, janë spërkatur me pije alkoolike nga ballkoni i një hoteli në qytezën e Budvës.
Dy ditë më vonë, një burrë ia ka ndaluar hyrjen në pishinë një adoleshenteje të veshur me burkini – rroba plazhi që mbulojnë gjithçka përveç fytyrës, duarve dhe shputave – afër plazhit Utjeha, i cili është 20 kilometra larg qytezës së Barit.
I pyetur pse, burri ka thënë se i “urren myslimanët” dhe se 300 mysafirët e tij e kundërshtojnë prezencën e vajzës.
Mirëpo, disa malazias kanë thënë se nuk mbajnë mend të kenë ndodhur incidente të tilla në këtë vend të Ballkanit.
“Islamofobia dhe sidomos islamophobia me bazë gjinore, është prezente në Mal të Zi”, ka thënë aktivisti për të drejta të njeriut, Aleksandar Zekoviq, në disa përgjigje për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Në të dyja incidentet, shënjestra kanë qenë gratë, që nënkupton se gratë që e praktikojnë fenë janë më tepër shënjestër”.
Kritikët debatojnë shpesh për rolin e kodit të veshjes në Islam, sidomos formën më strikte, dhe për mesazhin që përçon diçka e tillë për kulturën islame.
Shumë myslimanë e refuzojnë qasjen konservatore të fesë që parasheh mbulimin e grave me burka, apo shami në kokë kur të dalin në publik.
Rreth një në pesë banorë të Malit të Zi – me popullsi prej 620.000 personave – janë myslimanë, të ndarë në boshnjakë dhe shqiptarë etnikë.
Bari dhe zonat afër tij janë duartrokitur për vite si modele për bashkëjetesë mes banorëve të shumë feve.
Ky rajon është edhe destinacion për shumë myslimanë që udhëtojnë atje nga Evropa, por edhe vende tjera më të largëta.
Banorët lokalë tregojnë se “tradita e bashkëjetesës” daton prej më shumë se një shekulli kur një myfti ka bashkëpunuar me homologët e tij ortodoksë dhe katolikë; të tjerë thonë se historia është edhe më e lashtë.
Mirëpo në nivel kombëtar, incidentet kundër myslimanëve janë rritur pas zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat ka dominuar aktivizmi ortodoks serb dhe rritja e mbështetjes për partitë nacionaliste serbe.
Në asnjërin prej incidenteve që janë regjistruar në gusht afër bregdetit, autoritetet nuk kanë vlerësuar se raca apo kombësia kanë qenë motive për aktet e kryera, faktorë që mund të rezultojnë me gjoba dhe akuza më serioze.
Në Budvë, një austriak 18-vjeçar me prejardhje serbe, është gjobitur më 250 euro për sjellje të “pamatur” ndaj turistëve të Kuvajtit, sidomos për “derdhjen e lëngut” kundër tyre, sipas një dokumenti zyrtar të siguruar nga Radio Evropa e Lirë.
Sipas interpretimeve strikte të Islamit, myslimanëve u ndalohet pirja e alkoolit.
Në Utjeha, televizioni lokal Rozaje News, e ka shpërndarë një video në Facebook, të një burri të identifikuar si Dragan Gjuroviq, pronar i një restoranti afër bregdetit, duke iu bërtitur disa personave, përfshirë një vajze me burkini, duke thënë se ata nuk mund të hyjnë në pishinë.
Në videon e 4 gushtit, të postuar tri ditë më vonë, është përmendur retorika e “urrejtjes ndaj myslimanëve”.
Ai ka thënë se prezenca e vajzës me burkini do t’ia frikësonte mysafirët “normalë”.