Nur Fettahoglu është kujtuar nga shumë njerëz në Ballkan për rolin e Sulltaneshës Mahidevran në serialin “Sulejman i Madhërishëm”, dhe aktorja përveç ndryshimit të ngjyrës së flokëve nuk duket shumë ndryshe nga paraqitja në këtë serial.
“Një mbrëmje u ktheva e lodhur në shtëpi nga xhirimet e ‘Pasioneve të Orientit’ kur më zë telefoni. Edhe pse nuk më shkonte mendja të flisja, përgjigja dhe mora ofertën për të luajtur Mahidevranin”.
“U entuziazmova shumë dhe kalova tërë natën duke kërkuar në internet për të mësuar më shumë rreth gruas së parë të sulltanit, për të cilën deri atëherë nuk dija asgjë. Ditën tjetër grimierët në set patën vështirësi të më fshihnin rrathët nën sy”, ka thënë më parë, kur është pyetur për marrjen e rolit.
Nur Fettahoglu lindi më 1980 në Duisburg, dhe familja e saj rrjedh nga Shqipëria. Për rastësi, edhe sulltanesha që ajo portretizoi në serial – Sulltanesha Mahidevran, ka pasur origjinë shqiptare.
Ajo është shkolluar në Universitetin Haliç dhe ka diplomuar në dizajn të modës. Për një kohë ka punuar edhe si prezantuese e lajmeve financiare në kanalin Sky Turk.