Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar përsëri se Serbia nuk do të njohë Kosovën shtet të pavarur pa përfituar ndonjë kompromis.
I pyetur se çfarë do të jepte Kosova në këmbim të kësaj, Haziri është përgjigjur shkurt: “Leposaviqin me 17 fshatra serbe. Ashtu siç ishin para shkëmbimit të disa viteve”.
E për këto deklarata të Hazirit, ka reaguar deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci.
Ai në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Haziri po tregon se është në të njëjtën vij me presidentin Thaçi dhe të dy po e konsiderojnë territorin e Kosovës si pronë private të tyre.
“Lutfi Haziri me këto deklarata po tregon se është në të njëjtën vij me presidentin Thaçi dhe të dy po e konsiderojnë territorin e Kosovës si pronë private të tyre. Këto ide janë të rrezikshme dhe cenojnë stabilitetin e popullatës në vend”, tha Bajqinovci.
Ai ka paralajmëruar se çdo prekje e territorit të Kosovës, do të thotë përgatitje për një luftë të re, teksa ka theksuar se populli i Kosovës nuk do ta duronte një padrejtësi të tillë.
“Çdo prekje e territorit të Kosovës, qoftë ai edhe shkëmbim, do të thotë përgatitje për një luftë të re. Populli i Kosovës, nuk do ta duronte edhe një padrejtësi të tillë të madhe, e sidomos kur vije nga politikanët vendas. Shpresojmë që Haziri nuk do ta shfrytëzoj pozicionin e LDK-së në pushtet, për të ndikuar në këtë ide të tij të rrezikshme”, u shpreh Bajqinovci.