Qeverisë në detyrë i është kërkuar sërish që ish Burgu i Qarkut në Prishtinë të shpallet muze. Kjo kërkesë ekzekutivit i është adresuar nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis. Rëndësia e shpalljes muze të këtij ish burgu u konsiderua shumë e rëndësishme për rezistencën shqiptare.
Kryetari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu tha se ish Burgu i Qarkut përmban histori të shumta të torturave të ish burgosurve politik.
Komisioni për të drejtat e njeriut në këtë Kuvend vitin e kaluar ka bërë një kërkesë të ngjashme prandaj ky komision vendosi t’i bëjë një kërkesë tjetër që ky burg të shpallet muze. Është e rëndësishme të shpallet. Hapësirat janë siç kanë qenë në vitet 80’ta dhe 90’ta dhe përmban në vete histori të shumta të rezistencës. Ai burg përmban histori të shumta të torturave të ish të burgosurve politik, kujtime të heronjve e dëshmorëve që kanë vedekur nga tortura. Është e rëndësishme që ai burg të shpallet muze. Procedurat të jenë sa më profesionale dhe gjernatat që vijnë të kenë mundësi të kujtojnë rezistencën e të burgosurve”, tha Aliu.
Ai po ashtu ka thënë se kanë diskutuar edhe për dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiu sidomos në rajonin e Prizrenit.
“Temë tjetër ishin dëmet e shkaktuara nga reshjet në tërë Kosovën por në veçanti në Mamushë dhe Prizren. Javën e ardhshme do të bëjmë një vizitë dhe të shohim hapat e ardhshëm që duhet të marrim”, tha ai.
Ndërsa shqyrtimi i raportit vjetor nga Autoriteti i Avicionit Civil është shtyrë për javën tjetër. Temë diskutimi në mbledhjen e këtij komisioni ishte edhe dëmet nga reshjet e shiut në zonat e caktuara të Kosovës, e që u tha se javën e ardhshme po ashtu deputetët e këtij komisioni do të vizitojnë ato rajone që kanë pasur dëme.