Pesë shtetas sirianë dhe një algjerian kanë rënë në prangat e Policisë shqiptare, në fshatin Morinë, pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi që trafikonte emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta. Në kërkim është shpallur dhe një shtetas tjetër algjerian.
Në komunikatën zyrtare, Policia e Shtetit ka nxjerr disa nga fotot e sirianëve të arrestuar, ndërsa thotë se në këtë operacion të gjerë janë ndihmuar dhe nga homologët e Policisë së Kosovës.
Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të efektivëve duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës.