Një studim i ri ka gjetur se pacientët që kanë përjetuar humbjen e nuhatjes si pasojë e COVID-19, mund të përfitojnë nga një trajtim eksperimental.
Humbja e nuhatjes ka qenë ndër simptomat më të shpeshta si pasojë e COVID-19, sidomos te variantet e para.
Përderisa shumica e pacientëve rikthejnë shqisën pas pak javësh, për disa ka zgjatur me muaj e ndoshta edhe vjet duke ndikuar negativisht në shijen e tyre, apetit e kualitet të jetës, shkruan CBS.
Gjithsesi, hulumtuesit në Spitalin “Jefferson” në Filadelfia, kanë gjetur se një bllok nervor mund të ndihmojë në rikthimin e nuhatjes. Ata kanë marrë pacientët që kishin humbur nuhatjen për të paktën gjashtë muaj dhe ua dhanë injeksionin eksperimental (anestetikë dhe steroid) në një grup nervash në qafë.
Ata gjetën se rreth 60 për qind e tyre raportuan përmirësim karshi simptomave pas vetëm një jave. Nga ta, më shumë se 80 për qind raportuan edhe më shumë përmirësime pas një muaji.
Përderisa bllokimi nervor nuk funksionon për të gjithë, ata thonë se trajtimi të paktën po duket premtues.