Cili do të jetë fati i Ronelës në Eurovision
Ronela Hajati me këngën “Sekreti” do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”. Ashtu si çdo këngë tjetër e Shqipërisë në këtë kompeticion, edhe ky projekt deri më tani ka marrë pëlqime dhe vlerësime në arenën ndërkombëtare.
Në kanalin e YouTube të ‘Eurovision’ për këngët më të shikuara, Ronela renditet e dyta me 2.1 milionë klikime. E para ndërkohë është Spanja me 2.4 milionë klikime, dhe më pas Italia me 975 mijë, e katërta Polonia me 882 mijë dhe e pesta Norvegjia me 854 mijë klikime.
Vlen për t’u theksuar fakti se numri i klikimeve ndryshon nga çasti në çast dhe duke qenë se diferenca mes vendit të parë dhe të dytë është e ngushtë, Shqipëria ka mundësi të konsiderueshme për t’u ngjitur e para. Por duket se gjithnjë Shqipëria pozicionohet mirë në kanalet e YouTube, merr vlerësime nga kritikët e artit, por për fat të keq del e 17-ta në festival.
Të njëjtin fat pati edhe vitin e shkuar, Anxhela Peristeri. Këngëtarja u vlerësua nga shumë faqe prestigjioze të ‘Eurosong’, edhe me klikimet në YouTube, Shqipëria ishte ndër më të klikuarat. Me javë ajo mbajti vendin e dytë në kanalin zyrtar, por në netët finale kënga mundi të pozicionohej vetëm në vendin e 17-të.
Edhe kënga e Jonida Maliqit vite më parë në Izrael ishte ndër më të klikuarat, por edhe më të komentuarat në atë ‘Eurovision’. Madje mediat izraelite realizuan edhe një dokumentar për vendin tonë. Por kënga nuk shkoi shumë larg edhe në 2019. Mbeten edhe disa muaj për të parë performancën e Ronela Hajatit në Torino të Italisë, ku do të mbahet festivali këtë vit.
Këngëtarja do të këndojë e para, duke çelur kështu këtë kompeticion. Këtë vit shpresat e Shqipërisë janë edhe më të mëdha, për faktin se festivali mbahet pranë vendit tonë.
Sa kaq, Ronela ka qenë këto ditë duke xhiruar video-klipin e këngës që, siç ka thënë do të publikohet në muajin mars. Video-klipi është xhiruar buzë Vjosës, në Bylis. Gjithashtu, edhe në Gjirokastër dhe Tepelenë do të ketë fragmente të video-klipit. Video do të tregojë disa nga bukuritë më përrallore të Shqipërisë, që do të shërbejë si një promovim për të gjithë dëgjuesit e eventit.