Mediat kryesore gjermane, kanë njoftuar sot lidhur me procesin e djeshëm zgjedhor në Kosovë. Emërues i përbashkët i tre mediave gjermane që përzgjodhëm janë konstatimet se për kryeministrin Albin Kurti, javët që vijnë mund të jenë vendimtare për të ardhmen politike në Kosovë.
Pavarësisht sfidave dhe kritikave ndërkombëtare, ai mbetet një figurë kyçe në politikën e vendit, thekson Die Zeit. Mbetet të shihet se me cilët partnerë ai do të formojë një qeveri stabile dhe se si do të zhvillohet panorama politike e Kosovës. Gazeta tjetër prestigjioze Frankfurter Allegemine Zeitung, vëmendje i kushton sidomos raporteve të kryeministrit Albin Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht emisarin Riçard Grenell, i ngarkuar nga presidenti Trump për misione të veçanta.
Der Spiegel
Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas parashikimeve, partia e qeverisë ka dalë forca më e madhe. Megjithatë, ajo nuk duket se ka arritur shumicën absolute. Kryeministri Kurti ka nevojë për partnerë koalicioni, shkruan sot revista prestigjioze gjermane Der Spiegel.
Kryeministri aktual ka të ngjarë të mbetet gjithashtu kryeministër i ardhshëm – por jo më me shumicë qeverisëse. Kryeministri kosovar Albin Kurti shpalli veten fitues pas zgjedhjeve parlamentare në vendin e tij. “Ne kemi fituar dhe do të formojmë qeverinë e ardhshme”, tha ai pak pas mesnate përpara mbështetësve në Prishtinë.
Sipas të dhënave të grupit të vëzhguesve të zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, që mbështetet në rezultatet e 98% të vendvotimeve, partia e Kurtit, Vetëvendosje, ka marrë 40,4% të votave, duke humbur kështu shumicën absolute. Rreth dy milionë qytetarë ishin thirrur të votonin.
Kosova është një kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është hera e parë që një parlament në këtë vend ka përfunduar mandatin katërvjeçar, shkruan Der Spiegel. Në zgjedhjet e katër viteve më parë, formimi i Kurtit kishte marrë 50,3% të votave, shkruan revista gjermane, e cila raporton edhe për problemet serioze që KQZ pati me përpunimin elektronik të të dhënave dhe planifikoi të shpallë rezultatin përfundimtar të përkohshëm vetëm të hënën në mëngjes.
Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)
Kryeministri Albin Kurti fiton në Kosovë, por humb shumicën shkruan gazeta gjermane konservative Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat ishin shoqëruar me ndërhyrje të dukshme nga Shtetet e Bashkuara, partia e kryeministrit aktual Albin Kurti ka fituar shumicën e votave. Megjithatë, ajo ka humbur ndjeshëm krahasuar me rezultatin e katër viteve më parë. “Ne fituam dhe do të formojmë qeverinë e ardhshme”, tha Kurti pak pas mesnate, para mbështetësve në Prishtinë.
“Sipas rezultateve paraprake, ende jo zyrtare, Vetëvendosje fitoi rreth 40% të votave dhe mbetet forca politike më e fuqishme në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar nga Hashim Thaçi, i cili është akuzuar për krime lufte, ka marrë rreth 22%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë rreth 18%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë rreth 7%. Përveç kësaj, 20 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës janë të rezervuara për minoritetet etnike, gjysma e të cilave janë për serbët”, shkruan FAZ.
“Fushata zgjedhore në Kosovë ka qenë e shoqëruar me ndërhyrje të drejtpërdrejta nga dërguari i posaçëm i Trumpit, Richard Grenell. Grenell ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani gjatë mandatit të parë të Trump dhe si dërguar i posaçëm për “negociatat e paqes” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti, i cili kishte filluar mandatin e tij të parë si kryeministër i Kosovës, kishte kundërshtuar përpjekjet e Grenell për të arritur një “marrëveshje historike” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo marrëveshje, e përgatitur nxitimthi, kishte për qëllim që të paraqitej si një sukses i madh i Trump, për të cilin BE kishte dështuar të ndërmerrte përpjekje për vite me radhë.
Kurti nuk e pranoi këtë marrëveshje të nxituar dhe të pasigurt, dhe Grenell nuk ia ka falur këtë. Ai udhëhoqi një përpjekje për të rrëzuar Kurtin, duke e detyruar një parti të koalicionit të ndërpriste bashkëpunimin me të.
Grenell ka ndjekur Kurtin me një ndjenjë të thellë antipatie dhe dyshimi të vazhdueshëm, diçka që duket se është reciproke.
Kurti, në mënyrë demonstrative, mori pjesë në kongresin e nominuar të Partisë Demokratike të Amerikës në gushtin e kaluar në Çikago, gjë që e ka bërë marrëdhënien me ekipin e Trump më të vështirë.
Pak para zgjedhjeve, Grenell e akuzoi Kurtin në disa deklarata të shpërndara në platformën X, duke e quajtur atë të pabesueshëm për Washingtonin dhe anti-amerikan që nga fillimi. Sipas Grenell, edhe SHBA dhe NATO janë kundër Kurtit.
Grenell tha se Kurti mban përgjegjësinë për një pikë të ulët në marrëdhëniet amerikano-kosovare.
Ai gjithashtu pretendon se Kurti është arsyeja pse kompanitë amerikane nuk investojnë në Kosovë. Ai i këshilloi votuesit kosovarë, të cilët tradicionalisht janë pro-amerikanë: “Mos u mashtroni.”
Kurti reagoi publikisht duke thënë se marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së, janë më të mira se kurrë. Grenell reagoi dy ditë para zgjedhjeve dhe e quajti deklaratën e Kurtit “të çmendur”, duke thënë se marrëdhëniet kanë qenë më keq se kurrë.
Rreth zhvillimit të mundshëm të bisedimeve për koalicionin në Kosovë është e vështirë të bëhen parashikime serioze, pasi ka shumë kombinime të mundshme. Përfshirë një koalicion të partive opozitare ekzistuese pa pjesëmarrjen e Kurtit.
Nëse Grenell, si dërguar i Trump, do të ringjallë idenë e tij për një “ndërrim territori” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ende e pasigurt, ashtu siç është ende e pasigurt nëse një qeveri që ai e pëlqen do të formohet në Prishtinë.