Avokati shqiptar në Britani flet për daljen e Britanisë nga BE dhe emigrantët shqiptarë
Avokati shqiptar i Gjykatës Supreme në Britaninë e Madhe, Naim Hasani, ka folur rreth situatës së emigrantëve shqiptarë, pas daljes së Anglisë nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, të gjithë qytetarët e BE-së, përfshirë dhe ata me origjinë shqiptare që kanë mbërritur dhe mbërrijnë në Britani para dhe gjatë periudhës tranzitore, e cila është parashikuar të mbarojë më 31 dhjetor 2020, do të gëzojnë të njëjtat të drejta për sa i përket lëvizjes së lirë nga BE-ja drejt Britanisë.
Nga 1 shkurti i 2020-ës, Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian, por do të hyjë në një fazë tranzitore, e cila do të zgjasë deri në fund të këtij viti.
Por çfarë do të ndodhë me shqiptarët që jetojnë apo janë në proces migrimi drejt këtij shteti, ai në një intervistë tregoi se ligjet për emigrant do mbesin të njëjta.
Sipas avokatit, pavarësisht daljes zyrtare nga BE, Britania do të jetë pjesë e bashkimit doganor të BE dhe tregut të përbashkët Europian dhe do të jetë e detyruar të zbatojë Rregullat e BE e do të jete akoma subjekt i ligjit European dhe juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
“Ajo që të gjithë shqiptarët pavarësisht ku ndodhen, do të duan të dinë, sidomos qytetarët e Bashkimit Europian që janë në Britani dhe familjarët e tyre nga vendet e treta, por edhe ata që duan të vijnë këtu pas asaj date është se në çfarë pozite ligjore do ta gjejnë veten në mëngjesin e datës 1 shkurt 2020. Më në fund pas një periudhe të gjatë konfuzioni tashmë konfirmimi zyrtar nga qeveria e z. Boris Johnson në përputhje me marrëveshjen e largimit të negociuar me BE është se do të hyjë në fuqi menjëherë periudha tranzitore gjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar do të respektojë të gjitha ligjet e Bashkimit Europian, pavarësisht faktit që nuk do të jetë më anëtare me të drejta të plota e BE” tha Hasani,
Ndërkohë ende nuk është bërë asnjë informacion publik lidhur me procedurat dhe rregullat e reja që do të vendosen në Britaninë e Madhe pas përfundimit të periudhës tranzitore në fund të këtij viti. Hasani bën me dije se kjo periudhë tranzitore është për të lejuar kohën dhe kushtet e nevojshme për bizneset dhe qeverinë për t’u ambientuar dhe përqafuar ndryshimet e ardhshme që do të negociohen me BE. /AI/