Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar caktim të çmimit tavan për artikujt esencialë, pasi tha se po vazhdon abuzimi me çmime.
Murati tha se çmimi tavan për produktet e naftës tashmë po ka efekt, dhe një metodë e njëjtë tha se mund të përdoret edhe në ndërhyrjen që Qeveria planifikon ta bëjë në çmimet e produkteve bazike.
Ministri tha se kjo masë nuk do ta shkelte Kushtetutën, që e përcakton Kosovën si ekenomi të lirë të tregut, pasi tha se ajo “po ashtu parasheh edhe dinjitetin dhe mirëqenien njerëzore.
“Nuk mund të ketë shkelje të Kushtetutës. Kushtetuta po ashtu parasheh edhe dinjitetin dhe mirëqenien njerëzore. Pra, d.m.th. sa herë që dinjiteti dhe mirëqenia njerëzore vihet përballë kushteve dhe kritereve tjera, zakonisht mbizotëron dinjiteti dhe mirëqenia njerëzore”, tha Murati.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, javën e kaluar tha se në disa vende është shtrenjtuar buka, pacarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.
Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.
Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj.