Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka treguar se në Skenderaj janë 7 raste pozitive me virus të cilat janë raste kontakti nga komunat e tjera.
Së fundmi është marrë një vendim nga Qeveria e Kosovës me të cilin obligohen të kontrollojnë hyrjet në institucione publike dhe palët nuk lejohen të hyjnë në objektin komunal pa maska.
“Anëtarët e KKSB-së, i informova se aktualisht në Skenderaj, janë 7 raste pozitive, me virus, të cilat janë raste kontakti nga komunat e tjera, ku 2 janë në Likoc, 1 në Lubavec, 2 në Polac me banim në Skenderaj, 1 në Mikushnicë dhe 1 në Ternavc”, theksoi Jashari me një postim në Facebook.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Sot mbajtëm mbledhjen e radhës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi para të cilit raportova për gjendjen aktuale në komunën tonë, përball virusit COVID-19.
Anëtarët e KKSB-së, i informova se aktualisht në Skenderaj, janë 7 raste pozitive, me virus, të cilat janë raste kontakti nga komunat e tjera, ku 2 janë në Likoc, 1 në Lubavec, 2 në Polac me banim në Skenderaj, 1 në Mikushnicë dhe 1 në Ternavc. Për të pasur një kontroll më të mirë të familjeve në vetë izolim kërkova nga komandanti që kohë pas kohë të bëhen kontrolle tek këto familje nëse janë duke respektuar masën e vetë izolimit.
Po ashtu bëra të ditur se së fundi kemi marrë një vendim nga Qeveria e Kosovës me të cilin obligohemi që të kontrollojmë hyrjet në institucione publike dhe kështu palët të mos lejohen të hyjnë në objekte komunale pa maska. Konform kësaj do të vendosim masa preventive duke mos lejuar që qytetarët të hyjnë në objektet komunale pa maska. Po ashtu sipas kërkesës së Qeverisë do të reduktojmë edhe stafin e Komunës.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe rreth çështjes së sigurisë, të cilën e raportoi, Komandanti i Stacionit Policor në Skenderaj, Basri Durmishi.
Komandanti, tha se disa aktivitete të policisë janë shtyrë, pasi që për momentin fokusi kryesor është tek pandemia. Ai po ashtu vlerësoi se në mes Qendrës së Mjekësisë Familjare në Skenderaj dhe Policisë, po vazhdon bashkëpunimi për evidentimin e rasteve të dyshimta me virus.
Po ashtu në këtë mbledhje u bisedua edhe për dhunën në familje, ku zyrtarja për barazi gjinore, Hyka Ymeri, tha se numri i raportimit të dhunës në familje këtë vit krahasuar me vitin e kaluar është pak me i madh.
Në fund të mbledhjes, u dakorduam për zbatimin e masave preventive që po ndërmerr komuna dhe Qeveria, në bazë të një urdhërese të cilen e kam lëshuar muaj më parë për parandalimin e virusit COVID-19.