Në takimin e së hënës, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për masat ndaj Kosovës, por nuk pritet që të merret ndonjë vendim konkret për heqjen e tyre.
Kështu bëjnë të ditur burime diplomatike në Bruksel, të cilat janë të informuara mbi organizimin e këtij takimi.
Shumë shtete anëtare, përfshirë disa ndër më të fuqishmet, shprehen kundër vazhdimit të masave dhe vlerësojnë se ato janë të pakuptimta dhe po e dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe vetë punën e emisarit të ri evropian për dialogun.