Banorët e qendrës në Prishtinë të shqetësuar nga muzika e lartë e lokaleve – Komuna me aksion paralajmërues
Komuna e Prishtinës po planifikon furnizimit me aparate të cilat parandalojnë dhe kontrollojnë zhurmën e tepërt nga lokalet e natës në zonat ku ka banesa kolektive. Banorët e qendrës në Prishtinë tash e sa kohë janë ankuar për zhurmën e tepërt që shkaktojnë lokalet afër banesave të tyre. Deri tash asnjë zgjidhje nuk ishte bërë ndaj tyre.
Lagje të ndryshme të kryeqytetit tash e shumë vite po përballen me ndotjen akustike. Madje, për shumë prej tyre zhurma që dëgjohet kryesisht nga lokalet është shumë shqetësuese.
Problem ky që nuk është zgjidhur thuajse deri më tani asnjëherë.
Banorët e lagjeve në qendër kryesisht janë më të prekurit nga kjo zhurmë.
Ata kanë publikuar edhe video ku dëgjohet muzika shumë e lartë gjatë mbrëmjes, e që po shqetëson banorët brenda banesave.
Për këtë problem Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Drejtorinë e Inspekcionit në komunën e Prishtinës, të cilët thanë se ditëve në vijim pritet të ndërmerret një aksion i prerë ndaj lokaleve që bezdisin qytetarët me volum të lartë të muzikës.
“Gjatë ditëve në vijim, drejtoria e Inspekcionit do të ndërmerr një aksion paralajmërues për të gjitha këto lokale të cilave do t’iu kërkohet prerazi të shmangin zhurmën e nivelit bezdisës për qytetarët e atyre zonave”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Inspekcionit .
Ndërsa Komuna e Prishtinës shtoi se po planifikojnë të furnizojnë mjete që e parandalojnë dhe kontrollojnë muzikën e lartë në zona të ndryshme të qytetit.
“Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës është në fazën e planifikimit dhe furnizimit me mjete të cilat parandalojnë dhe kontrollojnë zhurmën e tepërt dhe të pakontrollueshme të cilën e prodhojnë këto lokale të natës në zona të ndryshme të qytetit”, kanë thënë nga Komuna e Prishtinës.