![](https://infolinenews.com/wp-content/uploads/2024/05/440041838_18084124912450355_3946911477327128733_n.jpg)
Prokuroria e Shtetit ende nuk i ka bërë të ditura hetimet për keqpërdorimin e mjeteve nga pakoja emergjente fiskale, pavarësisht se Policia e Krimeve Ekonomike ka nisur hetime dhe u janë ofruar dëshmi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se ende nuk ka informata nga prokuroria nëse është dënuar ndokush, mirëpo, shton se ka informacione se policia e krimeve ekonomike ka nisur hetimet lidhur me argumentet që Sindikata e Sektorit Privat iu ka ofruar.
Azemi thotë se të gjitha këto argumente ia kishte ofruar edhe Inspektoratit të Punës, por shton se, duket se edhe ata janë kërcënuar nga pronarët e kompanive.
E për këto dyshime të tij për keqpërdorimin e mjeteve të punëtorëve nga kompanitë, Azemi është intervistuar javë më parë nga Prokuroria.
Lidhur me këto pretendime, ai shton se çdoherë është njoftuar ministri dhe zëvendësministri i financave, mirëpo pasi ata nuk kanë ndërmarrë asgjë. Azemi thekson se është obliguar që të bëjë kërkesë në Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Krimeve Ekonomike që të vlerësohet gjendja për të cilën është njoftuar opinioni.
“Më 17 qershor të këtij viti, ne si sindikatë kemi bërë kërkesë në Prokurorinë e Shtetit dhe në Policinë e Krimeve Ekonomike që këta ta vlerësojnë gjendjen për të cilën ne kemi njoftuar opinionin, a ka keqpërdorime të mjeteve apo nuk ka dhe mendoj që ndoshta në kohën më të duhur Prokuroria dhe Policia e Krimeve Ekonomike janë marrë vesh që këtë temë ta trajtojnë së bashku. Unë para dy- tre ditësh jam intervistuar më shumë se një orë e gjysmë nga policia e krimeve ekonomike, ku kam ofruar dokumentacion të mjaftueshëm”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, keqpërdorimet e pakos emergjente nuk janë bërë vetëm në rundin e parë nga pronarët e kompanive, por kjo ka vazhduar tutje.
“Natyrën e punës së keqpërdorimeve nuk e kanë ditë ashtu sa duhet Policia e Krimeve Ekonomike. Kemi ofruar njëfarë forme llogari bankare të punëtorëve ku shihet që janë bërë keqpërdorime dhe normal që kanë kërkuar të dhëna që kur të dalin në teren, së paku të jenë të pajisur me argumente të mjaftueshme”, ka thënë Azemi.