Zyra Kombëtare e Auditimit nga kjo javë do të fillojë t’i publikojë raportet e auditimit të pasqyrave financiare të vitit 2019.
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes një deklarimi publik ka njoftuar se pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19, nga kjo javë fillon publikimi i raporteve të auditimit të rregullsisë për organizatat buxhetore.
“Për auditimin e entiteteve për të cilat do të publikohen raportet në ditët në vijim, ekipet audituese kanë poseduar të gjitha informatat dhe dëshmitë që ofrojnë siguri të mjaftueshme për dhënien e opinionit të auditimit dhe rekomandimeve, siç kërkohet me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA)”, ka thënë ai.
Osmani thotë se janë duke përcjellë me vëmendje të gjitha veprimet financiare dhe të menaxhimit të sistemeve shtetërore në këto rrethana të ballafaqimit me pandeminë COVID-19.
“Lidhur me këtë, po punojmë në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) që edhe në Kosovë të ndërmerren veprimet e ngjashme dhe me të njëjtat standarde, siç po aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve publike që vendimet e marra t’i mbështesin në parimet e përgjegjësisë, menaxhimit të shëndoshë financiar, si dhe në ligje dhe rregullore”, ka thënë ai.
Siç bëhet e ditur, në fazën e parë, do të publikohen 23 raporte, prej të cilave: 11 i përkasin institucioneve të nivelit qendror, një 1 institucioneve të pavarura, si dhe njëmbëdhjetë 11 institucioneve të nivelit lokal komunave.
Zyra Kombëtare e Auditimit njofton se do të publikohet raporti i auditimit për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK); Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS); Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL); Ministrinë e Drejtësisë (MD); Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor (MMPH); Ministrinë e Mbrojtjes (MM); Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS); Ministrinë e Integrimit (MI); Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS); Doganën e Kosovës; Zyrën e Kryeministrit (ZKM); Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); Komunën e Mamushës; Komunën e Klinës; Komunën e Deçanit; Komunën e Prishtinës; Komunën e Mitrovicës së Jugut; Komunën e Leposaviqit; Komunën e Vushtrrisë; Komunën e Rahovecit; Komunën e Ferizajt; Komunën e Podujevës dhe për Komunën e Shtërpcës.
“Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien e institucioneve publike, rrisin besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajnë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve të tjera të interesit për rritjen e përgjegjësisë së organizatave buxhetore, për menaxhim të mirë të fondeve publike”, thuhet në njoftim.