Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhgues në anëtare të asocuar.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.