Zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë kanë deklaruar se nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga VV-ja e LDK-ja për të qenë të pranishëm në takimin e liderëve i paraparë për tu zhvilluar edhe në prani të vendeve të QUINT’it.
Zëdhënësja e zyrës që drejtohet nga bullgarja Natalia Apostolova, Dinka Zivalj, ka thënë të martën për Reporteri.net se përfaqësuesit e kësaj zyre, në parim takojnë të gjithë liderët politikë në Kosovë, nga të cilët marrin ftesa.
Por, sipas Zivalj, Zyra e BE-së nuk ka marrë ftesë nga përfaqësuesit e VV-së e as LDK-së për takimin e sotëm mes liderëve Albin Kurti e Isa Mustafa.
“Në parim takojmë të gjithë liderët politikë, nëse ata na ftojnë. Për momentin nuk kemi një ftesë të tillë”, ka thënë ajo për Reporteri.net.
Ndryshe, një portal i afërt me VV-së, ka raportuar sot se me burime në takimin e orës 17:00 prezent do të jenë përfaqësuesit e shteteve të Quintit dhe ajo e BE-së, Nataliya Apostolova.
“Takimi do të mbahet siç është paraparë. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe shtetet e Quintit dhe shefja e zyrës së BE-së”, ka shkruar portali ‘Koha.net’.
Por, deri më tani përveç Zyrës së BE-së edhe Ambasada Gjermane në Prishtinë kanë konfirmuar se nuk kanë ftesë për ndonjë takim të mundshëm me liderët Kurti e Mustafa, për sot.
“Gëzohemi kur marrin ftesa nga partitë politike, aktualisht nuk jemi në dijeni për një ftesë të tillë të përbashkët”, kanë bërë me dije zyrtarisht, pak me herët, nga Ambasada Gjermane.
Ndryshe, dje pas takimit LVV–LDK që përfundoi edhe njëherë pa marrëveshje u bë e ditur se për t’i informuar lidhur me ecjen e bisedimeve të martën do të ftohen përfaqësues të QUINT’it dhe zyrës së BE-së në Kosovë.
Pas këtij njoftimi, vendet e QUINT’it dolën me një komunikatë të përbashkët ku u tha se nuk përkrahin ndonjë kandidat apo parti të veçantë për të formuar qeverinë duke e lënë të paqqartë nëse një takim i tillë do të ndodhë.
“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, “Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, shkruhet në komunikatën e vendeve të QUINT’it.
“Deklarata është mjaft e qartë, dhe tregon se ambasadori Kosnett nuk do të shkojë në takim”, ka thënë burimi i gazetës brenda ambasadës për Reporteri.net.
VV dhe LDK parashihet të takohen sot nga ora 17:00. Por kjo mund të ndryshoi pas refuzimit që po i bëjnë ndërkombëtarët që të jenë të pranishëm në takim.
Kreu i VV-së, Albin Kurti e ai i LDK-së, Isa Mustafa u takuan mbrëmë për rreth dy orë në Kuvend, por nuk arritën marrëveshje, pasi asnjëri nuk po lëshojnë pe për pozitën e kryekuvendarit.
VV thotë se nuk e tërheq Glauk Konjufcën me asnjë çmim pasi vet LDK-ja e ka votuar, kurse kjo e fundit po e kërkona të për një vit deri në zgjedhjen e Presidentit me propozimin e tyre./reporteri/