Ironikisht, perimet janë ndër ushqimet më pak të konsumuara, por më të rekomanduarat si ushqime të shëndetshme.
Dietologët profesionistë rekomandojnë që të rriturit që e ndjekin një dietë me 2000 kalori, t’i konsumojnë së paku 2 filxhanë e gjysmë perime në ditë. Fatkeqësisht, 90 për qind prej nesh nuk e respektojnë këtë rekomandim, raporton portali “Eat This, Not That”.
Por, pse duhet të filloni të konsumoni më shumë perime? Hulumtimet tregojnë se perime të ndryshme ofrojnë mbrojtje të avancuar kundër sëmundjeve kronike, kështu që është kritike për njerëzit që t’i përfshijnë ato në dietën e përditshme. Ky efekt mbrojtës ndaj sëmundjeve përforcohet kur zgjedhim një shumëllojshmëri perimesh.
Sëmundjet e zemrës
Një studim i fundit zbuloi se konsumimi më i lartë i vitaminës C, karotenoideve dhe alfa-tokoferolit (një formë e vitaminës E), shoqërohej me reduktimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit. Këto lëndë ushqyese dhe komponime, zakonisht mund të merren në sasi të mjaftueshme me ngrënien e duhur të perimeve. Perimet janë gjithashtu burime të mira të kaliumit, i cili lidhet me stabilizimin e presionit të gjakut.
Kanceri
Organizatat e mirënjohura të kancerit si Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) dhe Instituti Amerikan për Hulumtimin e Kancerit, bëjnë thirrje për rritjen e konsumit të perimeve. Ky i fundit e ka zhvilluar një koncept të ri që e inkurajon një qasje diete me bazë bimore, duke përfshirë dy të tretat e çdo vakti të shoqëruara me fruta, perime, drithëra dhe fasule. Shoqata Amerikane e Kancerit i vlerëson perimet për reduktimin e rrezikut të kancerit falë përmbajtjes së vitaminave, mineraleve dhe fibrave. Perimet po shut vlerësohen për përmbajtjen e sasisë së lartë të ujit dhe sasinë e ulët të kalorive, çka ndihmon dukshëm me menaxhimin e peshës.
Diabeti i tipit 2
Në vitin 2019 u diagnostikuan 1.4 milionë raste të reja të diabetit dhe parashikohet që, 1.5 milionë njerëz do të diagnostikohen me diabet në vitin 2022. Prandaj është kritike ta kuptojmë se cilat zakone të të ngrënit mund të ndihmojnë në ndalimin e kësaj sëmundjeje. Një studim i fundit zbuloi se një konsum më i lartë i perimeve me gjethe jeshile, perimeve të verdha, ose fibrave të tyre, lidhet me një rrezik më të ulët të diabetit të tipit 2. Një këshillë e rëndësishme për njerëzit me diabet është që ta hanë një sasi të qëndrueshme karbohidratesh, të konsumojnë mjaftueshëm fibra, të përfshijnë rregullisht fruta dhe perime në dietë dhe ta shmangin sheqerin e tepërt.
Sëmundjet kronike të veshkave
Një model i shëndetshëm ushqimor, duke përfshirë dietat që e imponojnë konsumimin e lartë të perimeve, janë të domosdoshme për shëndetin e përgjithshëm. Fondacioni Kombëtar i Veshkave rekomandon marrjen më të lartë të ushqimeve me bazë bimore, si perimet, për të ndihmuar në parandalimin dhe ngadalësimin e përparimit të sëmundjeve kronike të veshkave. /koha