Një sulm kibernetik që mbylli përkohësisht shumë shërbime dixhitale të qeverisë shqiptare dhe faqe interneti në mes të muajit korrik, ka të ngjarë të jetë vepër e hakerëve pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian në Shqipëri, bëri të ditur të enjten ‘Mandiant’ një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike.t.
Konferenca e 23 dhe 24 korrikut nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Rreth 3,000 disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë, 30 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.
Një grup që e quan veten “Homeland Justice” mori përgjegjësinë lidhur me sulmin kibernetik, duke përdorur viruse që synojnë zhvatjen për qëllime përfitime financiar, por që po përdoret gjithnjë e më shumë për qëllime politike, veçanërisht nga Irani.
Pretendimi nga “HomeLand Justice” u bë në një kanal të aplikacionit Telegram, në të cilin u postuan dokumente që supozohej se ishin leje qëndrimi në Shqipëri të anëtarëve të MEK-ut, së bashku me pamje filmike që tregonin tek aktivizohej programi me virus. Kanali pretendonte për korrupsion në qeverinë shqiptare dhe përdorte hashtagë përfshirë #Manzë.
“Kjo ngjarje përbën një kërcënim aktiv për organizatat publike dhe private në vendet e tjera anëtare të NATO-s”, tha kompania amerikane. “Ndërsa negociatat rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë ngecur, ajo tregon se Irani mund të jetë më pak i përmbajtur në kryerjen e sulmeve kibernetik në vazhdim”.
Pak ditë më parë qeveria shqiptare tha se metoda e hakerëve ishte identike me sulmet e vitit të kaluar në shtete të tjera të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Holandën dhe Belgjikën.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të bërë të enjten.