Shehrije Mustafa, nëna e Faton Hajrizit, është deklaruar pas përfundimit të të pames për djalin e tij.
Reagimi i plotë
E pamja për ty mori fund, por dhimbja s’paska fund djali jem. Si nanë, që veç ato që e kanë provuar ma kuptojnë dhimbjen që kam, po du me falenderu krejt ata që na kanë nejt afër në ditën me të vështira që kem kaluar dhe po kalojmë ne si familje.
Ne si prind kemi humbur një djal, por kemi kuptuar se ai ka qenë i të gjithëve.Pjesëmarrja e mijëra njerëzve në varrimin e Fatonit nga gjithë Kosova, Shqipnija, Maqedonia e Presheva na ka ba me kuptu sa shumë e keni dashtë djalin tonë.Ardhja për ngushëllime na ka lehtësu dhimbjen e madhe që e kemi.
FALEMINDERIT mijëra herë për mijëra njerëz që nuk na lanë vetëm në këto ditë të rana për ne. Faleminderit edhe atyre që nuk ishin apo nuk na përkrahen kur ne kishim nevojë. Vetëm një zemër e nanës e kupton sa shumë lëndohet ajo kur emra të ndryshëm i ngjiten evladit.
Faton, këto ditë nana nuk ka derdhë lot për ty. Veç zemra ka lotu. Kam desht me të përcjellë siç duhet në varr. Tash kam kohë m’u merzitë për ty e me kujtu kohën që kam kalu pa ty. Tash e kam një vend ku mund të vi të takoj, të flas me ty për shumë gjëra që mbetëm pa i thënë. Varri yt në Klinë, do të jetë vendtakimi jonë. Nana ka dhimbje por krenaria që kam për ty e mund mërzinë. Tri Klinat, Drenica Kosova, e besa krejt Shqiptaria ta çuan në fund amanetin që kishe.