Gazmend Abrashi, nga AAK-ja ka bërë të ditur se tashmë i kanë siguruar të gjitha votat për qeverinë e re.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjatë së mërkurës kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Sipas kësaj marrëveshjeje AAK-së do t’i takojnë katër ministri dhe një zëvendëskryeministër.
Gazmend Abrashi nga AAK-ja në një konferencë për medie ka bërë të ditur se tashmë janë siguruar të gjitha votat për votimin e “Qeverisë Hoti”.
Sipas Abrashit, është vetëm çështje kohe kur do të thirret seanca për votimin e qeverisë.
“Nuk ka asnjë dilemë që votat për qeverinë Hoti i kemi siguruar. Presim që t’i përfundojmë të gjitha procedurat e nevojshme dhe është shumë reale me prit që shumë shpejt do të ftohet mbledhja në Kuvendin e Kosovës në të cilën ne do ta votojmë mandatarin e ri dhe qeverinë e re. Votat i kemi, tash është veç çështje procedurale ku do të caktohet dita e saktë se kur do të mblidhen deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abrashi.