As pas dhjetë ftesave të shkëmbyera mes vete, presidenti Thaçi e kryeministrit Kurti nuk janë takuar akoma.
Të dy po vazhdojnë dramën e ftesave dhe refuzimeve, anash zhvillimeve të tjera politike. Tashmë kanë lënë mirësjelljen institucionale që përdornin nëpër letra, trasnmeton Infoline-News.
Thaçi dje e ka quajtur Kurtin mashtrues, të padinjitet, paranojak e kundërshtar të Amerikës. Kurti nga ana tjetër është i bindur se Thaçi tashmë ka nënshkruar marrëveshje sekrete me Vuciqin.
Pas këtyre fjalëve, pezull ka mbetur një takim që sipas Zyrën së Kryeministrit do të ndodhte të premten.
Kryeministri Albin Kurti ka vendosur që të mos shtrëngojë duart në takime zyrtare për shkak të rrezikut nga shpërndarja e koronavirusit. Kësisoj, ai mund ta evitojë edhe përshëndetjen me Presidentin Thaçin, në qoftë se ndodhë takimi mes tyre të premten, kur Kurti, sipas Zyrës së tij, ka kohë ta takojë Thaçin.
Zyra e Presidentit i ka thënë Gazetës Express se sot nuk mund të përgjigjen lidhur me atë se a do të ketë ose jo nesër takim mes Presidentit e Kryeministrit.
Vetëm brenda kësaj jave Thaçi e ka thirrur dy herë Kurtin. Ata lanë anash kurtuazinë që e shprehnin në letra e dolën me deklarata të ashpra ndaj njëri-tjetrit.
Thaçi me një shkrim në Facebook e ka quajtur Kurtin të frikësuar, gënjeshtar, mashtrues, të padinjitet dhe konsistent në qëndrime kundër Amerikës.
“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin.I padinjitet”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas fjalimit të Kurtit në seancën e jashtëzakonshme.
Kryeministri në Kuvend e ka akuzuar Thaçin se tashmë ka bërë marrëveshje sekrete me presidentin serb, Aleksandër Vuciq dhe ka vazhduar negociatat e fshehta me të.
“Unë jam i bindur që ka marrëveshje mes dy presidentëve dhe duan që unë të thyhem si kryeministër dhe të thyhet Qeveria, ashtu që nënshkruhet ajo”, ka thënë Kryeministri dje në Kuvend.
Përveç takimit 4-minutësh në Presidencë, minutazhin e së cilit thekson vazhdimisht kryeministri Kurti, janë shkëmbyer më shumë se dhjetë ftesa mes Thaçit e Kurtit. Asnjë takim nuk ka ndodhur.
Kurti këtë të hënë, 9 mars nuk i shkoi në takim, sepse Presidenti i kishte thirrur në cilësinë e kryetarit të LVV’së. Të mërkurën Thaçi e ftoi Kurtin në tri ternime, e Kryeministri prapë nuk i shkoi në takim.
Zyra e Kryeministrit në të njëjtën ditë ka deklaruar se Kurti mund ta takojë Thaçin të premtën pasdite.
Zyra për Media e Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar të mërkurën për Gazetën Express se Kurti mund të takohet me Thaçin të premten.
“Nga Zyra e Kryeministrit pamë që kanë theksuar kohen se kur mund te takohet Kryeministri me Presidentin. Ne përgjigje ishte theksuar dita e premte”.