Presidenti amerikan Trump po shkakton një shitje të dollarit me politikën e tij të paparashikueshme tarifore – a po afrohet fundi i monedhës rezervë botërore? Kjo mund të ketë pasoja dramatike.

Kush është humbësi më i madh nga politika tariforeamerikanenë tregjet financiare? Nëse pyet ekspertët e këmbimit valutor, përgjigja është e qartë: Dollari. Ndryshe nga bursat, të cilat kanë arritur të rikuperojnë një pjesë të mirë të humbjeve të tyre, deri tani nuk ka shenja të një rikuperimi të ngjashëm të monedhës amerikane.
Euro në nivelin më të lartë në tre vitet e fundit
Njoftimi i tarifave të reja nga presidenti amerikan Donald Trumpsë fundmi shkaktoi një shitje masive të dollarit. Investitorët iu drejtuan euros, jenit dhe frangut zviceran. Ky është një zhvillim dramatik i pashembullt në historinë e bursës.
Kështu, në vetëm pak ditë, vlera e euros u rrit me plot gjashtë cent në krahasim me dollarin. Në pika të caktuara euro vlen mbi 1,14 dollarë, që është niveli më i lartë në tre vitet e fundit. Indeksi i dollarit, i cili tregon vlerën e monedhës amerikane në krahasim me gjashtë monedhat tjera kryesore, ra në shifra dyshifrore për herë të parë që nga viti 2022. Deri tani nuk ka ndonjë kundërmasë serioze.
Më shumë ulje të normave për shkak të rrezikut të recesionit?
Pas kësaj qëndron frika e investitorëve nga pasojat e politikës doganore të paparashikueshme të Trumpit. Tregu tani vlerëson rreziqet e rritjes për ekonominëamerikane si më të mëdha se rreziqet inflacioniste. Ekspertët besojnë se rreziku që SHBA të hyjë në recesion për shkak të tarifave më të larta të importit është rritur në mënyrë dramatike.
Rezerva Federale e SHBA-së duket se po i përgjigjet këtij skenari duke ulur shpesh normat e interesit. Tregtarët presin tani katër ulje të normës së interesit, e cila mund të bie deri në 1.0 për qind, në 12 muajt e ardhshëm. Për krahasim: përpara “Ditës së Çlirimit”, siç tha Trump kur ngriti të gjtha tarifat, tregu priste vetëm tre ulje të normave të interesit nga Fed.
Trump ka shkatërruar besimin
Statusi i dollarit po rrënohet me shpejtësi. Tregu ka filluar të vërë në dyshim rolin e dollarit si monedhë rezervë botërore. Përjashtimet e shpallura së fundmi për telefonat celularë dhe laptopë si dhe makinat nuk e ndryshojnë këtë, pasi kompanitë ende nuk kanë siguri në planifikim. Për sa kohë mund të vlejnë përjashtimet “e përkohshme”? Gjithçka varet nga lëvizja e radhës e presidentit amerikan Trump.
Është e qartë se ka tani më një shkallë njohjeje me Trumpin, thotë Antje Praefcke, eksperte në çështjet e këmbimit valutor në Commerzbank. “Por dëmi është bërë, besimi është shkatërruar”.
Për sa kohë zgjat kjo pasiguri, siç shpjegoi ajo, për të gjithë të përfshirët në ngjarjet botërore dhe ekonomike, vështirë se mund të pritet një rikuperim i ndjeshëm i dollarit.
Pse Trump dëshiron të dobësojë dollarin?
Por ka të ngjarë që vetë Trumpi e shikon pozitivisht shitjen e monedhës amerikane, pasi dobësimi i dollarit si monedhë rezervë botërore është një nga qëllimet e deklaruara të politikës së tij tarifore. Logjika që qëndron pas kësaj: një monedhë vendase më e dobët redukton borxhin gjigant kombëtar dhe gjithashtu deficitin tregtar të SHBA-së.
Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi aktual i dollarit është më shumë një efekt anësor “i planifikuar” i politikës doganore të SHBA nga Trump dhe këshilltarët e tij. Domethënë, qëllimi është që të detyrohen kreditorët amerikanë që në ditët dhe javët në vijim të bëjnë një zhvlerësim të koordinuar të dollarit dhe në këtë mënyrë t’i bëjnë eksportet amerikane më konkurruese. “Marrëveshja Mar-a-Lago” është fjala kyçe.