Në një seancë të Komisionit të Jashtëm të Senatit, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer tha se emërimi i tij dhe i të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell është shenjë e angazhimit amerikan në rajon. Siç njofton kolegia Keida Kostreci ai iu shmang përmendjes së afateve të veçanta për arritjen e një marrëveshjeje.
“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer me dështimin e vendeve anëtare të BE-së për të miratuar hapjen e negociatave për anëtarësimin e me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë javën e kaluar në Bruksel. Megjithëse ne nuk jemi anëtarë të BE-së, jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian se të dyja vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm në reforma”, tha zoti Palmer.
Po ashtu, zyrtari i lartë amerikan tha se ky vendim dërgon sinjalin tek vendet e tjera se dera për ne BE është mbyllur, rrezikon gërryerjen e besueshmërisë së BE-së dhe krijon një boshllëk udhëheqjeje që Rusia, Kina dhe të tjerë janë mëse të gatshëm ta mbushin.
“Vendimi përcjell mesazhin e gabuar tek Beogradi dhe Prishtina dhe mesazhi është: mund të bëni gjëra të vështira, mund të bëni zgjedhje të vështira, mund të arrini kompromis dhe në fund të fundit t’ju mohohet rruga përpara drejt Evropës”.
Gjithashtu, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vendet e Bashkimit Evropian për ta ndryshuar atë mesazh. Në seancë nuk u përmend ndonjë afat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Por …
“Në presim që qeveria e re e Kosovës të demonstrojë angazhimin për objektivat e përbashkëta duke hequr tarifat ndaj mallrave serbe dhe boshnjake që kanë dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë nga fushata për të delegjitimuar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh Palmer.