Kurti para tre vjetëve: Me VV-në në pushtet, lirohet nafta për bujqit e hiqen xhipat e shtrenjtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës që ishte në opozitë e kishte gojën plotë me kritika për shpenzimet zyrtare, përfshirë drekat e darkat zyrtare, shpenzimet e karburanteve dhe të tjera.
Madje para tre viteve ai shkruante në një postim të tijin se nafta në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më shtrenjtë, mirëpo që për xhipat zyrtar është e lirë.
Ai thoshte se siç e kanë naftën lirë xhipat e Qeverisë, ashtu duhet ta kenë traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari që ta punojnë tokën e tyre.
Kurti aso kohe madje premtonte se kur të vijë VV në Qeveri, do të lirohet nafta për bujqët dhe do të hiqen xhipat e shtrenjtë.
“Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari”, shkruante Kurti.
Por vet deputetët e Kurtit janë ata që ditët e fundit janë shumë të përfolur për shpenzime të karburantit.
Disa nga ta madje as s’kanë të deklaruar veturë, mirëpo shpenzimet e tyre për vetëm dy muaj, shkojnë mbi 500 euro.
Madje deputetja e VV-së, Yllza Hoti, figuron se jeton në Prishtinë, s’ka të deklaruar veturë e madje ka shpenzuar 810 euro naftë për vetëm dy muaj.