Raportohet se rezultatet e ekspertizës zvicerane për rastin e Astrit Dehari do të përkthehen për 3 ditë.
Por si duket familja dhe opinioni duhet të presin më gjatë për ta kuptuar përfundimin e zviceranëve që besohet se do ta vulosë mënyrën e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes.
Sipas Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala rezultatet e ekspertizës kanë mbi 50 faqe material dhe vdekja e tij del të jetë dyshuese.
Shala i ka thënë Gazetës Express se pret që këtë javë do të përfundojë përkthimi i ekspertizës voluminoze.
Ekspertiza e rastit të Astrit Deharit, edhe pse ka ardhur gati që gjashtë ditë, ende nuk është përkthyer.
Deri më tani, pavarësisht kërkesave të palës mbrojtëse e familjes Dehari, ekspertiza nuk iu është dhënë atyre. Prokuroria në Prizren të premten e javës që shkoi, prindërve e gruas së Deharit iu tha se rezultati i ekspertizës është dërguar për t’u përkthyer, e për këtë do të duhen 3 ditë. Kjo pavarësisht se familja Dehari kanë kërkuar që raporti t’u dorëzohet në gjuhën me të cilën Instituti në Llozanë të Zvicrës e ka dërguar në Kosovë.
Kujtojmë se në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës pas kërkesës së familjes ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.