376 mafiozë janë liruar nga burgjet në Itali dhe janë dërguar nën arrest shtëpiak për shkak të rrezikut të infektimit me koronavirus, duke nxitur një debat në vend, transmeton Infoline-News.
Që nga fillimi i krizës me koronavirus, gjykatat në Itali kanë liruar mafiozë të moshuar që vuanin nga sëmundje të ndryshme sepse “janë në rrezik të komplikimeve nëse marrin koronavirusin”.
Prokurorët, asociacionet anti-mafia e partitë politike kanë protestuar kundër vendimeve të gjykatave, duke u frikësuar se krerët e mafive do të shfrytëzojnë krizën e koronavirusit për të siguruar lirimin e tyre.
Në mesin e të liruarve dhe të dërguarve në arrest shtëpiak është edhe bosi i “Cosa Nostras”, Francesco Bonura, 78-vjeçari që po vuante dënimin prej 23 vjetësh burgim dhe bosat e “Ndranghetas”, Vincenzino Iannazzo 65-vjeçar dhe Rocco Santa Flippone 72-vjeçar.
Gjykatat janë frikësuar se një infektim me Covid-19 do të ishte fatal për Filipponen pasi ai kishte probleme serioze kardiovaskulare.
Një tjetër bos i “Cosa Nostras”, Franco Cataldo 85-vjeçar, është liruar të hënën. Cataldo ishte në mesin e të dënuarve për kidnapimin e 15-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, të birin e informatorit Santino Di Matteo. Djaloshi më pas ishte vrarë e trupi i ishte asgjësuar në acid nën urdhrat e kryemafiashit Giovanni Brusca.
Ministri i Drejtësisë, Alfonso Bonafede, qartësoi javën e kaluar se vendimi për të liruar mafiozët nuk ishte marrë nga qeveria dhe të hënën kërkoi për rishikim të rregullit për lirimin e mafiozëve nga burgu.