Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Bosnjë-Hercegovinën qendrore kanë lënë të paktën 19 persona të vdekur, me qytete dhe fshatra të bllokuara dhe në disa vende shtëpitë janë pothuajse të zhytura.
Disa nga pamjet më të rënda ishin në zonën përreth Jabllanicës, një qytet në rrugën kryesore midis qyteteve të Mostarit dhe kryeqytetit, Sarajevës, rreth 70 km në veri-lindje.
Me këtë fatkeqësi të Bosnjës është solidarizuar Bashkimi Europian, Turqia e disa vende të tjera.
“Përmbytjet katastrofike në BeH kanë shkaktuar tashmë disa viktima dhe shumë të zhdukur. BE qëndron në solidaritet me Be H”, ka shkruar Borrell, i cili shtoi se EUROFOR do të mbështesë reagimet e emergjencave.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të mëtejshme përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së”, tha Borrell.
Edhe zyrtarët të tjerë europianë dhanë mbështetje për banorët e zonave të përmbytura dhe programi Copernicus u aktivizua, sipas mediumit boshnjak “Vijesti.ba”.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë tha se vendi është i gatshëm të ofrojë ndihma humanitare për “Bosnjën vëllazërore”.
“Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e ndihmave humanitare për Bosnje e Hercegovinën miqësore dhe vëllazërore. Në bashkëpunim me autoritetet e BeH po bëhen përpjekje për të vlerësuar nevojat dhe për të ofruar ndihma”, tha MPJ turke, duke ngushëlluar për viktimat.