Lirim Sylejmani, shtetas amerikan me origjinë nga Kosova është dënuar me 10 vjet burgim.
Vendimi është marrë nga Gjykata Federale në Distriktin Columbia, për shkak se iu bashkua organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), mori trajnim ushtarak nga kjo organizatë dhe mori pjesë në të paktën një luftim të armatosur kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo u bë e ditur nga prokurorja Jeanine Ferris Pirro, drejtuesja e Divizionit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë Sue Bai dhe agjenti i përkohshëm special i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Courtland Rae.
49 vjeçari i njohur po ashtu edhe me emrin Abu Sulayman al-Kosovi, e kishte pranuar fajësinë më 12 dhjetor 2024 për marrje të trajnimit ushtarak nga një organizatë terroriste e shpallur e tillë nga SHBA. Përveç dënimit me burg, gjykatësi Rudolph Contreras urdhëroi që ai të jetë nën mbikëqyrje të përjetshme pas lirimit.
“Ky individ do të kalojë një dekadë në burg duke reflektuar mbi tradhtinë që i bëri këtij vendi,” tha Prokurorja Pirro.
“Kushdo që mendon se ISIS është përgjigjja për dilemat e tyre, le të mendojë dy herë. Ne do të shkojmë deri në fund për të çrrënjosur individët që synojnë të përmbysin qeverinë dhe të dëmtojnë qytetarët tanë”, theksoi ajo.
Sipas dokumenteve të gjykatës, nga nëntori i vitit 2015 deri në shkurt të vitit 2019, burri me origjinë nga Kosova mori trajnim ushtarak nga ISIS në Siri.
Ai udhëtoi atje nga Kosova së bashku me familjen, iu nënshtrua procesit të pranimit të ISIS, mori emrin Abu Sulayman al-Kosovi dhe iu bashkua një njësie ushtarake në Mosul të Irakut.
Gjatë trajnimit, Sylejmani mësoi të përdorte armë si AK-47, PK Machine Gun, M-16 dhe granata.
49 vjeçari, u betua për besnikëri ndaj liderit të ISIS, Abu Bakr Al-Baghdadi.