Si pasojë e arrestimit të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj nga njësitet speciale të EULEX-it, sekretari i kësaj organizate, Faton Klinaku do të jetë ushtrues detyre i kryetarit të veteranëve të luftës.
Ky vendim është marrë nga kryesia e kësaj organizate, e cila ka mbajtur një mbledhje emergjente menjëherë pas përfundimit të bastisjes së EULEX-it.
“Kryesia u interesua për gjendjen si është, unë iu raportova për bastisjen si i kanë bërë ata. Sepse i kemi shikuar si bastisje sepse frika jonë ka qenë mos po lajnë diçka…Kryesia vendosi që të marrë udhëheqjen e organizatës deri sa të vijnë kryetari dhe nënkryetari”, tha ai.
Klinaku para gazetarëve dha edhe disa detaje tjera për bastisjen, ku përveç dy kompjuterëve, bëri të ditur se hetuesit e EULEX-it kanë marrë edhe disa CD, për të cilat tha se janë vetëm të dhëna të familjeve të dëshmorëve.
Ndërsa theksoi se edhe nënkryetari Nasim Haradinaj mund të jetë rrugës për në Hagë.
“Sa i përket, Gucatin menjëherë e kanë dërguar në Hagë. Telefonin si ka hyrë ia kanë marrë dhe nuk kam mundur të komunikoj me të…Edhe për Nasim Haradinaj çka kemi komunikuar me të ka tregu se po e dërgojnë edhe atë në Hagë”, tha ai.