Serbët e veriut të Kosovës kanë filluar të mblidhen e të dalin në rrugë qysh para orës 07:00 të kësaj të hëne. Mediat kosovare raportojnë se tashmë në rrugë kanë filluar të dalin banorët e asaj pjese të Kosovës.
Nga pamjet shihet se ka nisur grumbullimi i qytetarëve serbë, ndërsa policia e Kosovës dhe KFOR janë gatishmëri.
Nga sot po ashtu pritet që nxënësit serbë të bojkotojnë shkollën, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbrëmjen e djeshme tha se i druhet një konflikti të madh në Kosovë.
Tubimi i tyre vjen pas asaj çka ndodhi të premten, ditën kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore kanë dalë në punë në zyrat e tyre. Kjo nuk u prit mirë nga banorët serb të asaj pjese të Kosovës, gjë që bëri që situata të dalë jashtë kontrollit.
Ndërkaq trupat e KFOR-it kanë rrethuar dhe marrë në mbrojtje godinat komunale në Veri të vendit.
Pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar sot në mëngjes edhe në veri të Mitrovicës, nga ura kryesore në lindje-perëndim.
Kësisoj në gjithë rrugën në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve dhe Tre Rrokaqiejve janë vendosur dhjetëra autoblinda.
Qytetarë serbë këmbë dhe në mënyrë të organizuar janë nisur nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit.