Një ngjarje e rëndë e ndodhur së fundmi në kryeqytet, ku një mësimdhënës shihet se ka sulmuar fizikisht një nxënës në Shkollën e Mesme të Ulët “Pavarësia”, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.
Mes tyre, edhe reperi i njohur Gold AG ka reaguar me tone të forta dhe emocionale.
Sipas informacioneve paraprake, profesori dyshohet se ishte provokuar fizikisht dhe verbalisht nga nxënësi 15-vjeçar, i cili raportohet se kishte organizuar situatën me një grup shokësh për ta incizuar incidentin në një klasë ku nuk kishte kamera sigurie.
Në një reagim publik, Gold AG ka ngritur shqetësimin për rënien e respektit ndaj figurës së mësuesit, duke e krahasuar realitetin e sotëm me gjeneratat e mëparshme. Ai ka theksuar se dikur nxënësit kishin frikë dhe respekt të madh për arsimtarët, deri në atë pikë sa edhe në mbrëmjet festive ngurronin të ndiznin cigaren para tyre, ndërsa sot, sipas tij, kufijtë e respektit janë zhdukur plotësisht.
Reperi ka ndarë edhe një histori personale, duke treguar se është rritur në një familje mësuesish dhe se gjithmonë e ka ndier veten nxënës përballë mësueses së tij të ndjerë, Minire, pavarësisht suksesit dhe takimeve me figura të rëndësishme ndërkombëtare. Ai e cilësoi këtë si një dëshmi të edukatës dhe vlerave familjare.
Në fund, Gold AG ka pasur edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për prindërit, duke i kritikuar ata që mbrojnë verbërisht fëmijët e tyre. Ai theksoi se dhuna nuk është zgjidhje, por kërkoi më shumë përgjegjësi nga prindërit, duke u bërë thirrje të mos i kthejnë telefonat dhe rrjetet sociale në “armë” kundër mësuesve.







