Tregu global i veturave elektrike (EV) po rimëkëmbet nga një nga kolapset më dramatike në shitjet mujore. Hulumtimi nga Rstad Energy zbuloi se vetëm 672 mijë automjete elektrike u shitën në të gjithë botën në janar, afërsisht gjysma e shitjeve të dhjetorit 2022 dhe vetëm një rritje prej 3 për qind nga janari 2022.

Në të njëjtën kohë, pjesa e tregut të automjeteve elektrike në mesin e të gjitha veturave të shitura ra në 14 për qind në janar, që është dukshëm më e ulët se 23 për qind e regjistruar në dhjetor, shkruan Autoblog.
Shitjet e automjeteve elektrike janë rritur vazhdimisht vitet e fundit dhe ngadalësimi i shitjeve është një lajm shqetësues për industrinë. Uljet e taksave dhe subvencionet qeveritare kanë mbështetur deri më tani tregun e automjeteve elektrike, pasi shtetet identifikojnë elektrifikimin e veturave një taktikë kyçe për të arritur qëllimet e emetimeve zero.
Ulja apo anulimi i këtyre subvencioneve në fillim të vitit ndikoi negativisht te konsumatori. Tani prodhuesit e automjeteve po përpiqen të ndryshojnë trajektoren në rënie dhe të shpëtojnë tregun në vitin 2023.
Subvencionet për automjetet elektrike në shumë vende evropiane dhe në Kinë u reduktuan në fillim të vitit dhe kthimi i ndonjë subvencioni të rëndësishëm nuk ka gjasa në të ardhmen e afërt. E vetmja fije shprese për perspektivën globale është tregu amerikan, i cili është vetëm në fillim të rrugëtimit të elektrifikimit dhe futjes së stimujve tatimorë.
Megjithëse pati rritje margjinale të shitjeve të automjeteve elektrike në Evropë në janar në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, performanca e tregut ishte e dobët, me shumë vende që përjetuan rënie në shitjet e automjeteve elektrike pas dhjetorit 2022.
Me përfundimin e subvencioneve për automjetet elektrike, shumë konsumatorë nxituan të blinin vetura të reja para fundit të vitit 2022. Si rezultat, shitjet u rritën në fund të vitit të kaluar.
Për revolucionin e parashikuar elektrik, rritja prej 3 për qind është shumë pak. E gjithë kjo ndoshta bëri që Tesla të ulte ndjeshëm çmimet e modeleve të saj, dhe disa prodhues të tjerë të veturave elektrike reaguan gjithashtu.