Kompania holandeze Lightyear ka dhënë disa pamje paraprake të modelit të gjeneratës së dytë të veturës me energji diellore, për të cilën pretendon se do ta bëjë të lehtë, të përshtatshme dhe ekonomike blerjen e një veture elektrike.
Vetura e re elektrike, e quajtur Lightyear 2, u prezantua në eventin CES në Las Vegas dhe është vetura e dytë e kompanisë pas veturës Lightyear 0, e cila momentalisht është duke u prodhuar në fabrikën Valmet Automotive në Finlandë.
Tani veçse ekziston një listë e pritjes për këtë veturë, për të cilën Lightyear pretendon se do të ketë çmim prej pak më pak se 40 mijë euro (35,420 funte). Ky çmim është më i lartë se çmimi që kompania e synonte në muajin nëntor – 30 mijë euro – por që është rreth 6 herë më i lirë se çmimi i Lightyear 0 – 250 mijë euro, raporton Arena EV.