Laboti është një barishte e cila në Shqipëri zakonisht gjen përdorim në recetat e byrekut, sallatave apo supave.
Ai në vendin tonë kultivohet në dy format e tij karakteristike; i egër dhe i butë.
Laboti me gjethe të gjelbër gjendet në florën e egër, kurse ai me gjethe ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë duhet të kultivohet.
Pikërisht laboti i butë ose siç njihet ndryshe laboti i bardhë, është shpallur nga specialist të fushës si një specie e rrallë.
Laboti në Shqipëri gjendet në dy forma:
Laboti i gjelbër ose siç njihet Atriplex hortense ssp.viridis Alef, formon kërcell të fortë e të qëndrueshëm.
Ai karakterizohet nga gjethe të gjata e të ngushta, me ngjyrë të gjelbër e deri gjelbër të errët.
Tek kjo formë bimore gjethet vilen duar-duar kur ato kanë arritur madhësinë dhe pjekurinë karakteristike.
Laboti i verdhë ose i bardhë njihet me emrin Atriplex hortense ssp.lutens Alef. Ai formon kërcell të brishtë e gjethe të gjera, me ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë, tepër të shijshme në ngrënie.