Një fabrikë e vogël birre në Finlandë ka hedhur në treg një birrë që simbolizon NATO-n për të shënuar aplikimin e shtetit nordik për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore, shkroi AP-ja të premten.
Birra OTAN është mbështjellë në të kaltër me një version vizatimor të një kalorësi mesjetar që pi birrë, ndërsa është veshur me mburojën metalike me simbolin e NATO-s në të.
Emri i birrës është pjesë e shprehjes finlandeze “Otan olutta” që do të thotë “Do ta pi një birrë”, dhe shkurtesa franceze për NATO-n, që është “OTAN”. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ka dy gjuhë zyrtare, angleze dhe franceze.
Drejtori i fabrikës, Petteri Vanttinen, i tha AP-së se për vendimin u motivua nga “shqetësimi për luftën në Ukrainë” dhe pasojat për Finlandën nga ajo.