Autoritetet e Venecias e kanë anuluar karnavalin e famshëm dhe të gjitha tubimet e tjera publike për të paktën një javë për shkak të vdekjes së dy personave dhe infektimit të shumë të tjerëve me koronavirus.
Ditët e fundit të këtij karnivali, i cili tashmë i ka tërhequr mijëra vizitorë, do të anulohen.
Edhe dizajneri i modës, Giorgio Armani, e ka anuluar javën e modës në Milan për të njëjtën arsye.
Për më tepër, edhe Federata Italiane e Futbollit i ka anuluar tri ndeshje të parapara të luhen të dielën.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, të shtunën njoftoi se qeveria ka marrë masa të rrepta për luftimin e përhapjes së këtij virusi.
Rajonet më të prekura janë Lombardia dhe Veneto në pjesën veriore të Italisë, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Këto rajone njihen për zhvillim të lartë ekonomik dhe dendësi të madhe të popullsisë.
Në Lombardi shtrihet edhe qyteti i Milanos me 1.4 milionë banorë.
Kryetari i këtij qyteti njoftoi se shkollat do të jenë të mbyllura të hënën, ndërsa edhe universitetet nuk do të happen deri në fillim të muajit mars.
Përpos në Itali, raste të koronavirusit janë konfirmuar edhe në disa shtete të tjera evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Spanjën.