Milani po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, jo vetëm me largime, por edhe me lëvizje të rëndësishme për të forcuar mesfushën.
Me largimin e konfirmuar të Tijani Reijnders dhe të ardhmen e pasigurt të Yunus Musah, reparti qendror ka mbetur i zbrazët, ndërkohë që ardhja e Luka Modrić e mbush vetëm pjesërisht këtë boshllëk.
Në këtë kuadër, drejtori sportiv Igli Tare është vënë në lëvizje dhe duket se ka një emër mbi të gjithë në listën e tij: Granit Xhaka.
Mesfushori shqiptar i kombëtares zvicerane dhe Bayer Leverkusen është prioriteti absolut i Tares, i cili e sheh si njeriun e duhur për të sjellë ekuilibër dhe përvojë në skuadrën e re që po ndërtohet rreth projektit të Massimiliano Allegrit.
Shtatë vitet e Xhakës në Premier League me fanellën e Arsenalit dhe sezoni i shkëlqyer me Leverkusenin kanë lënë gjurmë në karakterin dhe stilin e tij të lojës. Ai është një lider në fushë dhe për Milani, një profil i tillë është më i nevojshëm se kurrë.
Megjithatë, Bayer Leverkusen nuk është i gatshëm ta lëshojë lehtë. Xhaka ka kontratë deri në vitin 2028 dhe klubi gjerman e vlerëson rreth 12 milionë euro.